Bota në alarm për Hantavirusin, reagon OBSH: Nuk ka rrezik për pandemi si Covid-19
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka reaguar pas rasteve të raportuara me Hantavirus në bordin e anijes turistike MV Hondius, duke theksuar se situata nuk përbën rrezik për një pandemi të ngjashme me Covid-19.
OBSH: Hantavirusi transmetohet ndryshe nga Covid-19
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se hetimet për shpërthimin e Hantavirusit janë ende në zhvillim.
Ai u përpoq të minimizojë shqetësimet globale, duke sqaruar se mënyra e transmetimit të hantavirusit është shumë e ndryshme nga ajo e koronavirusit dhe se rreziku për përhapje masive mbetet i ulët. Sipas OBSH-së, hantaviruset zakonisht kërkojnë kontakt të zgjatur me burimin e infeksionit, kryesisht me brejtësit bartës të virusit ose me ambientet e kontaminuara prej tyre.
Pesë raste të konfirmuara në anijen turistike
Deri tani janë konfirmuar pesë nga tetë rastet e dyshuara në bordin e anijes turistike MV Hondius. Të gjithë personat e prekur ndodheshin në anije në momentin e identifikimit të rasteve.
Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se mund të zbulohen edhe raste të tjera, pasi periudha e inkubacionit të sëmundjes mund të zgjasë deri në gjashtë javë. OBSH thekson se niveli i rrezikut për shëndetin publik mbetet i ulët, përfshirë edhe Ishujt Kanarie, drejt të cilëve po lundron aktualisht anija.
Dyshimet për origjinën e infektimit
Sipas informacioneve paraprake, çifti që dyshohet se u infektua i pari kishte vizituar zona ku ishte identifikuar prania e një specieje miu të njohur si bartëse e hantavirusit. Hetimet për përcaktimin e origjinës së saktë të virusit dhe mënyrës së transmetimit vijojnë ende nga autoritetet ndërkombëtare shëndetësore.